Home Aktuale DONI

DONI

Spasovski: Nuk është e vërtetë se nuk kemi bashkëpunim me Komunën e Tetovës

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski nga SPB Tetovë, hodhi poshtë pretendimet e komunës së Tetovës se SPB-Tetovë nuk bashkëpunon sa duhet me komunën, për rregullimin në komunikacion. Sipas Spasovskit, mirëmbajta dhe rregullimi i komunikacionit është ingerencë e komunës dhe se policia jep vetëm pëlqim për veprim. Ndërsa më tej, Spasovski lavdëroi SPB-në e Tetovës se ka dhënë rezultate më të mira në nivel shtetëror për luftimin e dukurive, tregtisë me drogë dhe me armë.

“Në Tetovë funksionon shërbimi i merimangës me dy ndërrime dhe që të punojë shërbimi i merimangës, duhet patjetër që të ketë pjesëtarë të policisë, të cilët veprojnë bashkërisht mes veti. A mund të përmirësohet ky bashkëpunim, sigurisht se mund të përmirësohet që të propozohen masa të reja, zgjidhje të reja në komunikacion, të përmirësohet sinjalizimi vertikal dhe horizontal, të krijohen vende të reja parkimi dhe jemi për bashkëpunim. Ky institucion nuk bën politikë, por kujdeset për sigurinë, prandaj të gjithë duhet të kontribuojmë për sigurinë dhe këtu politika nuk duhet hyjë në këtë mes.” –  tha ministri i MPB-së, Oliver Spasovki.

Me një komunikatë me shkrim nga Komuna e Tetovës përsëritën edhe një herë qëndrimin se kaosi brenda qytetit shkaktohet për shkak të mosveprimit të policisë.

“Nuk duam t’i komentojmë deklaratat e tilla. Ne i bëjmë thirrje ministrit Spasovski, që të dalim bashkërisht në bulevardet e qytetit dhe ta shohë personalisht edhe ai kaosin e krijuar. Në këtë mënyrë do ta kuptojë se në çfarë niveli është bashkëpunimi midis komunës dhe policisë.”, –thuhet në komunikatën nga Komuna e Tetovës. 

Ndërkaq, lidhur me atë se kur të gjithë policët do të kenë uniforma në dy gjuhë, numri një i Ministrisë së Punëve të Brendshme theksoi se është çështje kohe kur të gjithë policët do të kenë uniforma në dy gjuhë. Sipas tij, mos realizimi në kohë i kësaj është pasojë e problemeve teknike gjatë përkthimeve, por shfaqi shpresë se brenda këtij viti kjo çështje do të rregullohet. 

Spasovski, këto komente i ka bërë në kuadër të iniciativës “Kabinet i hapur”, ku qëndroi në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë dhe realizoi takime me qytetarët e Tetovës.

Previous articleDeri ku janë uniformat dygjuhëshe? Spasovski: Procedura është duke rrjedhur, shumë shpejt përfundon
Next articleSituatë e rëndë në Tearcë të Tetovës – Shiu i rrëmbyshëm shkakton kaos dhe dëmë të mëdha